logo

Prioritizoni shëndetin mendor të fëmijëve!

KOMF ngre si një çështje jetike e shumë të rëndësishme, mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Pandemia globale Covid-19, prej muajsh tashmë ka shkaktuar një paralizë të shumë sferave të jetës, me ndryshime radikale e të menjëhershme në mënyrën e jetesës tonë. Kjo situatë e jashtëzakonshme, shoqëruar me pasigurinë totale për të nesërmen, privimin e pjesshëm të lirisë, ndarjen nga njerëzit e dashur dhe ndërprerjen e detyruar të aktiviteteve të përditshme, ka prodhuar shqetësim, ankth e traumë tek çdo individ, mbi të gjitha tek grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët.

Mbyllja totale ishte një ndër faktorët kryesor të cilët shkaktuan kaos në jetët e fëmijëve e ndër të tjera ngjallën frikë e pasiguri mes tyre. Mbyllja e kopshteve në muajin mars 2020, ishte e detyrueshme dhe e përshpejtuar si pasojë e shpërthimit të pandemisë, duke mos lënë asnjë hapësirë për ta bërë procesin më gradual e të pranueshëm për fëmijët.

Shëndeti mendor njëjtë si ai fizik, ka një rëndësi të pakontestueshme në garantimin e zhvillimit të fëmijëve në përputhje të plotë me interesin më të mirë të tyre.

Sipas MICS 2020, vetëm 𝟭𝟱% e fëmijëve të moshës 3 - 4 vjeç nga popullsia e përgjithshme i vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme. Këto të dhëna tregojnë që pjesa dërmuese e fëmijëve në Kosovë në vitet e para rriten në mjediset në shtëpi, kryesisht me prindërit apo kujdestarët. KOMF ju bën thirrje juve prindër dhe kujdestarë që të zhvilloni sa më shumë aktivitete rekreative dhe argëtuese me fëmijët me qëllim të largimit të stresit dhe ofrimit të qetësisë e ekuilibrit emocional. Në këtë periudhë pandemie, ekuilibri emocional i fëmijëve duhet të jetë konsiderata e parë.

…..”Për më tepër, tani më është e ditur që çdo aktivitet/lojë ndikon në ndërtimin e një baze të rëndësishme për disa nga fazat e zhvillimit të fëmijës. Përmes lojës, fëmijët në moshë shumë të hershme bashkëveprojnë me botën përreth tyre. Loja i ndihmon fëmijët të zhvillojnë imagjinatën, stimulimin sensorik, aftësitë motorike, aftësitë njohëse e emocionale.

Prindër, mbani në mend se ju jeni shokët e parë dhe të preferuar të fëmijëve tuaj. Që nga vitet e para të jetës, ata luajnë me ju, qoftë duke ndjekur lëvizjet tuaja apo duke dëgjuar zërin tuaj ndërsa i flisni. Me kalimin e viteve, fëmijët tuaj mund të kenë shumë lodra për të luajtur, por ato asnjëherë nuk krahasohen me ju!”...

Poashtu, ofruesit e shërbimeve në fëmijërinë e hershme duhet t’i japin prioritet mirëqenies emocionale të fëmijëve dhe shëndetit mendor të tyre, dhe në të njëjtën kohë të ofrojnë mbështetje për këdo që ka nevojë për ndihmë. Është jetike që institucionet parashkollore, edukatoret dhe të gjithë ofruesit e shërbimeve në fëmijërinë e hershme të kujdesen fillimisht që fëmijët të përshtaten në mënyrë graduale e të pranueshme nga vetë ata në mjediset ku marrin shërbime, të ndihen të sigurtë, të qetë e të mbrojtur. MASh, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe kopshtet krahas marrjes së masave sipas udhëzuesit, duhet të shohin mundësinë për angazhim të stafit shtesë profesional sikurse angazhimi i psikologëve shtesë, është më se i domosdoshëm në këtë periudhë të vështirë pandemie.

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara