logo

Fillon hartimi i kurrikulës për edukimin në fëmijërinë e hershme

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka filluar krijimin e Kurrikulës për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.

Kabineti i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Z. Ramë Likaj ka emëruar grupin punues me ekspertë të MASh, Fakulteteve të Edukimit dhe shoqërisë civile për hartimin e dokumentit “Kurrikula Bërthamë për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme”. Si anëtar i grupit punues është vendosur edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF.

KOMF në shkurt 2020 ka publikuar qëndrimin për kurrikulën në kuadër të politikës rekomanduese për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, ku ka ofruar komente të përgjithshme si dhe rekomandimet kryesore si më poshtë:

Rekomandimet kryesore të KOMF janë:

  • Dokumenti i ri i Kurrikulës parashkollore 0-5 vjeç të përfshijë edhe klasën parafillore;
  • Mosha 0-3 vjeç mbetet nën hije dhe nuk elaborohet në draft dokumente sikurse mosha 3-5 vjeç. Kjo konsiderohet shqetësuese. Është e paqartë edhe grupmosha 0, meqë kudo në botë, kurrikula fillon nga mosha 1 vit apo bazuar në sistemin e organizimit të edukimit në fëmijëri të hershme (nëse fëmijët fillojnë programin në fëmijëri të hershme nga mosha 9 muajsh, kjo duhet të përkojë edhe me programet dhe shërbimet që ofrohen për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre);
  • Bazuar në moshën dhe veçantitë e saj zbatimi i kurrikulës duhet të ketë qasje të integruar, i ndërlidhur me punën dhe jetën e përditshme të fëmijëve, duke ua mundësuar që ta kuptojnë drejt marrëdhënien e tyre me mjedisin natyror dhe me mjedisin e krijuar nga njeriu, pavarësisht se ku zhvillohet ky sistem në shkolla fillore apo institucione parashkollore.

KOMF bashkë me organizatat anëtare do kontribuojë dhe avokojë në kuadër të grupit punues për përfshirjen e rekomandimeve, me qëllim që t’iu sigurojë institucioneve të edukimit në fëmijërinë e hershme një kurrikulë sa më cilësore.

Komente

Ende nuk ka komente të shtuara